OpenAI njoftoi të martën se inteligjenca artificiale e kompanisë ka arritur të zgjidhë një prej shtatë Problemeve të Mijëvjeçarit, të konsideruara ndër sfidat më të mëdha të matematikës dhe të pazgjidhura për dekada.
Të lidhura
None found
Bëhet fjalë për problemin Navier-Stokes, një çështje rreth 200-vjeçare që lidhet me mënyrën e lëvizjes së lëngjeve. Sipas kompanisë, zgjidhja u arrit nga një model i brendshëm i AI-së, i cili nuk është i disponueshëm për publikun.
OpenAI tha se procesi zgjati 88 orë dhe përfshiu deri në 10 mijë “agjentë të inteligjencës artificiale” që vepronin paralelisht.
“Kjo arritje është rezultat i një pune të konsiderueshme nga matematicienë dhe studiues të inteligjencës artificiale. Megjithatë, nuk është fundi i rrugës, por vetëm një fotografi e progresit në zhvillimin e AI-së”, deklaroi kompania.
Njoftimi shkaktoi diskutime mes matematicienëve, veçanërisht për shkak të një pune tjetër kërkimore që po zhvillohej mbi të njëjtin problem.
Një natë para publikimit të OpenAI-së, Tristan Buckmaster, profesor i matematikës në Universitetin e Nju Jorkut, bëri të ditur se së bashku me Levent Alpöge, studiues në Anthropic, kishte punuar për problemin Navier-Stokes. Projekti i tyre kishte nisur vitin e kaluar dhe përfshinte përdorimin e disa modeleve të mëdha gjuhësore, mes tyre edhe Codex të OpenAI-së.
Buckmaster dhe Alpöge thanë se, teksa po përgatiteshin të publikonin rezultatet e tyre, kishin kontaktuar studiuesit e OpenAI-së dhe kishin mësuar se kompania ndodhej pranë një zbulimi të ngjashëm.
“Dua të jem i qartë për atë që nuk po pretendoj”, shkroi Buckmaster. “Nuk e kam parë provën matematikore të OpenAI. Nuk e di çfarë bëri modeli i tyre dhe as si e bëri. Nuk e di nëse janë përdorur të dhënat tona. Nuk po akuzoj askënd për asgjë.”
Pas shqetësimeve se modeli mund të kishte përdorur punën ende të papublikuar të dy studiuesve, OpenAI sqaroi se kërkimet për Navier-Stokes kishin nisur më 1 shtator. Kompania tha se kishte dëgjuar një thashethem sipas të cilit mund të ishte zgjidhur një tjetër Problem i Mijëvjeçarit.
Sipas OpenAI-së, agjentët e përdorur gjatë procesit kishin akses në mjete për leximin e një versioni të ruajtur të internetit dhe për ekzekutimin e kodit. Megjithatë, kompania këmbënguli se “nuk panë asnjë pjesë të punës së tyre përpara se ajo të publikohej” dhe se “nuk u përdor asnjë e dhënë specifike e përdoruesve për të zgjidhur këtë problem”.
OpenAI tha se kishte kontaktuar Buckmaster dhe Alpöge për t’u propozuar publikimin e njëkohshëm të rezultateve, si dhe për t’u ofruar transparencë mbi kërkesat, ose “prompts”, e përdorura dhe provën matematikore.
Në të njëjtën ditë me njoftimin, kompania publikoi edhe provën e saj në sistemin Lean, duke paraqitur mënyrën se si agjentët e inteligjencës artificiale arritën në zgjidhje.
Megjithatë, OpenAI pranoi se “nuk mund të përjashtojë mundësinë që të dhëna të anonimizuara, të krijuara nga përdorimi i produkteve tona prej tyre, të kenë ndihmuar në përmirësimin e modeleve tona”.
Rezultati ka tërhequr vëmendjen e disa prej emrave më të njohur të matematikës, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për pasojat e përdorimit të AI-së në zgjidhjen e problemeve të një kompleksiteti të tillë.
“Është pak a shumë si të shikosh një film dhe të kalosh direkt nga 10 minutat e para te 10 minutat e fundit; teknikisht historia mbyllet, por humbet pjesa më e madhe e vlerës së përvojës”, tha për CNN matematikani Terence Tao, profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos.
Tao tha se OpenAI mund të ketë përfituar nga përpjekjet e vazhdueshme të matematicienëve, por vlerësoi se situata tashmë është shndërruar në “një garë të ethshme”.
“Përdorimi pa kriter i inteligjencës artificiale po e kthen këtë fushë në një lojë ku synohet vetëm prodhimi i rezultateve, gjë që në fund sjell shumë pak përfitim si për matematikën, ashtu edhe për botën”, u shpreh ai.
Problemi Navier-Stokes lidhet me punën e shekullit XIX të Claude-Louis Navier dhe George Gabriel Stokes. Ai përqendrohet te dinamika e lëngjeve dhe te pyetja nëse ekuacionet përkatëse mund të dështojnë në kushte të caktuara.
Shtatë Problemet e Mijëvjeçarit u përcaktuan nga Instituti Clay i Matematikës në Kembrixh të Masaçusetsit si pyetjet më të rëndësishme matematikore të mijëvjeçarit të ri.
Programi i Çmimeve të Mijëvjeçarit u krijua në vitin 2000 dhe parashikon një shpërblim prej 1 milion dollarësh për zgjidhjen e parë të saktë të secilit problem.
Deri tani, vetëm një prej këtyre problemeve është zgjidhur zyrtarisht. Ai është Hamendësimi i Poincaré, një teoremë që lidhet me formën e hapësirave tredimensionale.
OpenAI deklaroi të martën se nuk planifikon të kërkojë çmimin prej 1 milion dollarësh për zgjidhjen e pretenduar. /CNN/
