Arlind Qori, drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, tha në emisionin “Minuta e Parë” në News24 se protesta qytetare, e cila ka vijuar përtej 100 ditëve, synon shpërbërjen e menjëhershme të Kuvendit dhe largimin e qeverisë Rama. Sipas tij, kjo duhet të pasohet nga zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe demokratike.
Qori deklaroi se forca aktuale qeverisëse nuk gëzon më legjitimitetin e nevojshëm për të drejtuar vendin.
Të lidhura
None found
Duke folur për vijimësinë e protestave, ai tha se ato po shndërrohen në një shembull që po tërheq edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas Qorit, një nga arsyet e kësaj qëndrueshmërie është se lëvizja nuk drejtohet nga partitë politike, por nga shoqëria, të rinjtë dhe qytetarët e angazhuar.
Ai theksoi gjithashtu se Lëvizja Bashkë ka qenë çdo ditë pjesë e kontributit në protestë, pa synuar marrjen e protagonizmit politik.
Sa u përket deklaratave të deputetëve të mazhorancës për raste dhune verbale ose fizike, Qori u përgjigj se dhuna është ushtruar ndaj protestuesve, të cilët, sipas tij, janë tërhequr zvarrë nga forcat e rendit.
Qori u shpreh në mbështetje të aktivistëve që janë përballur me figura si Iris Luarasi. Ai argumentoi se përballja e zyrtarëve me pasojat dhe të vërtetat e dhimbshme të qeverisjes nuk mund të cilësohet dhunë, por përbën një element themelor të demokracisë. Sipas tij, mazhoranca është mësuar të funksionojë e distancuar nga realiteti dhe për këtë arsye e quan “sulm” çdo kërkesë të drejtpërdrejtë për llogaridhënie lidhur me abuzimet dhe korrupsionin e pushtetit.
