Kosova mund të hyjë në një situatë të paqartë kushtetuese brenda më pak se një muaji, nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri. Sipas disa ekspertëve ligjorë, Albulena Haxhiu nuk mund ta ushtrojë këtë funksion përtej afatit gjashtëmujor.
Të lidhura
None found
Haxhiu, e cila aktualisht ushtron detyrën e presidentit, u rizgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës më 9 shtator. Më herët, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, ishte hedhur ideja se ajo mund të vazhdonte në këtë rol edhe për një mandat të dytë gjashtëmujor, nëse do të lindte nevoja.
Edhe Presidenca ka deklaruar se kryetarja e re e Kuvendit do të mund ta vazhdonte ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Haxhiu e mban këtë përgjegjësi që nga 4 prilli, kur presidentes së atëhershme, Vjosa Osmani, i përfundoi mandati.
Megjithatë, ekspertët ligjorë të konsultuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen se Haxhiu nuk mund ta vazhdojë detyrën pas 4 tetorit.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se posti i ushtruesit të detyrës së presidentit mund të mbahet për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj.
Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mandati i Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit përfundon më 4 tetor, pavarësisht se ajo u rizgjodh në krye të Kuvendit.
“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se është në kundërshtim me nenin 90, paragrafin 3, të Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi Bugaqku për REL-in të mërkurën, pas rizgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare.
Sipas tij, çdo dekret ose vendim i nxjerrë nga Haxhiu pas këtij afati do të ishte i kontestueshëm në aspektin kushtetues dhe mund të rrëzohej nga gjykatat.
Bugaqku u ka bërë thirrje deputetëve ta konsiderojnë si alarmues afatin deri më 4 tetor, brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti i vendit.
Të mërkurën, Haxhiu e pezulloi seancën konstituive dhe njoftoi se ajo do të vazhdonte të premten, me synim përfundimin e konstituimit të Kuvendit.
Ajo shpjegoi se mungonte pajtueshmëria për mënyrën e votimit të nënkryetarëve. Haxhiu përmendi gjithashtu faktin se deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nuk e tërhoqi shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë propozimit të kandidatit për nënkryetar nga komuniteti serb.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka një tjetër theksim lidhur me këtë çështje. Ai tha për REL-in se kufizimi gjashtëmujor i parashikuar nga Kushtetuta lidhet me ushtrimin e funksionit të presidentit dhe jo me individin që e mban atë.
Për këtë arsye, sipas Miftarajt, as ndërrimi i personit që ushtron detyrën e presidentit dhe as rizgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk mund të krijojnë një afat të ri gjashtëmujor.
“Një interpretim i tillë do të mundësonte që, përmes ndryshimit të personit, gjendja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të vazhdonte përtej kufirit prej gjashtë muajsh të përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë”, theksoi ai.
Bugaqku paralajmëroi se kalimi i 4 tetorit pa zgjedhjen e një presidenti të ri do të përbënte “një njollë shumë të keqe dhe një precedent të rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”. Sipas tij, një zhvillim i tillë do të dëmtonte shtetin dhe sistemin kushtetues parlamentar të Kosovës.
Më 4 tetor mbyllet periudha gjashtëmujore gjatë së cilës Kushtetuta lejon që detyra e presidentit të Kosovës të ushtrohet nga një zëvendësues.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, kishte deklaruar më herët për REL-in se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit “është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.
Rrustemi kishte argumentuar se kryetari i ri i Kuvendit, sapo të zgjidhet, nis edhe ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas tij, me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri fillon nga e para edhe afati gjashtëmujor i përcaktuar në Kushtetutë.
“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, kishte deklaruar Rrustemi për REL-in.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka mbajtur më herët qëndrimin se afati gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së presidentit është absolut dhe nuk mund të përsëritet në asnjë rrethanë.
Cakolli e ka cilësuar moszgjedhjen e presidentit të ri deri më 4 tetor si skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të përballet Kosova.
“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, deklaroi për REL-in se çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit pas 4 tetorit do të ishte pa mbështetje kushtetuese dhe do ta cenonte rëndë rendin kushtetues.
Partitë opozitare shqiptare nuk kanë bërë deklarata publike për këtë çështje. PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me këtë temë.
Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike në Kosovë dhe ka çuar në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare në qershor.
Marrëveshja e brishtë mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e diplomatit dhe juristit kosovar, Bekim Sejdiu, nuk duket se ka mbështetjen e nevojshme. Kundërshtime publike ndaj saj kanë shprehur edhe deputetë të vetë LDK-së.
Që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm, në Kuvendin me 120 vende duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë.
LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. / REL
