Humbja 2-1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu” ka lënë të zhgënjyer mesfushorin e Interit, Andy Diouf. Francezi theksoi se skuadra zikaltër kishte potencialin për të marrë një rezultat pozitiv.
Të lidhura
None found
Interi e përfundoi pjesën e parë me disavantazhin 2-0, pasi Real Madridi përfitoi nga gabimet e italianëve, veçanërisht ato të Curtis Jones dhe portierit Josep Martinez.
“Zhgënjimi është i madh, por kjo është e kuptueshme, pasi synimi ynë është të fitojmë çdo ndeshje. Edhe sot e kishim cilësinë për ta arritur këtë”, u shpreh Diouf në zonën e përzier pas përfundimit të takimit.
Mesfushori francez vuri në dukje edhe hapësirat e krijuara gjatë sfidës, duke pranuar se gabimet në një përballje të tillë kushtojnë shtrenjtë.
“Në fushë pati shumë hapësira dhe kjo e bën edhe më të dhimbshme faktin që gabuam. Megjithatë, ky është futbolli i nivelit të lartë dhe ndeshje të tilla të japin shumë mësime”, deklaroi ai.
Diouf komentoi gjithashtu paraqitjen e bashkëkombësit të tij, Kylian Mbappe, autor i golit të parë për Real Madridin.
“Mbappe është lojtari më i mirë në botë. Këtë e tregoi edhe sot, pasi ata krijojnë një rast dhe arrijnë të shënojnë menjëherë. Janë jashtëzakonisht të saktë përpara portës”, tha lojtari i Interit.
Sipas tij, pikërisht këto përballje duhet t’i shërbejnë Interit për të nxjerrë mësime dhe për të shmangur përsëritjen e gabimeve të njëjta.
Interi do të luajë ndeshjen e radhës të hënën e ardhshme, kur në “San Siro” do të presë Udinesen në javën e katërt të Serie A.
