Erblin Osmani, talenti i Bayern Munichut, nuk ka marrë ende një vendim nëse do ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, sipas raportimit të mediumit gjerman “BILD”.
Të lidhura
None found
E ardhmja e futbollistit bavarez mbetet tërësisht e paqartë dhe pritet të sqarohet në fund të muajit, kur të fillojë pushimi ndërkombëtar. Deri më tani, as Osmani dhe as menaxhmenti i tij nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
“BILD” thekson se lojtari është pajisur me pasaportë të Kosovës, çka ia mundëson aktivizimin për “Dardanët”. Megjithatë, ai ende nuk e ka përcaktuar përfundimisht kombëtaren që dëshiron të përfaqësojë.
Sipas informacioneve të mediumit gjerman, pavarësisht deklaratave të ambasadorit të Kosovës, Faruk Ajeti, nuk është marrë asnjë vendim. Pajisja e Osmanit me pasaportën e Kosovës i ka krijuar atij mundësinë që të luajë për vendlindjen e prindërve të tij.
Raportimi nënvizon se sqarimet kryesore rreth kësaj çështjeje do të vijnë në fund të muajit, me nisjen e pushimit ndërkombëtar.
“BILD” vlerëson gjithashtu se kalimi i Osmanit te Kosova do të përbënte një goditje të rëndë për Federatën Gjermane.
Mediumi gjerman ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Kosova do ta siguronte mesfushorin e talentuar, i cili ka shënuar një ngritje meteorike te Bayerni. Sipas tij, kjo do të ishte një goditje e madhe për Federatën Gjermane, pasi Osmani cilësohet si një nga talentet më të mëdha të vitit 2009.
