Administrata e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranën ka hyrë në bojkot të përgjithshëm, duke bllokuar shërbimet dhe proceset gjyqësore në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë për të bllokuar pagat e magjistratëve.
Administrata ka njoftuar kryetarin e Gjykatës për bojkotin, ndërsa punonjësve u është komunikuar se do të ketë një qëndrim pas mbledhjes së kryetarëve të të gjitha gjykatave, e parashikuar në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.
Të lidhura
None found
Ngërçi u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik formulën e re të pagave për magjistratët, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.
Pas skadimit të afatit, KLGJ dhe KLP vlerësuan se kishin detyrimin të zbatonin drejtpërdrejt vendimin e gjykatës dhe vendosën një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, si dhe shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Megjithatë, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përgatitura mbi bazën e rritjes së re. Ministria argumentoi se përcaktimi i formulës së pagave është në kompetencën e Kuvendit dhe kërkoi që listëpagesat të riktheheshin duke përdorur metodologjinë e mëparshme.
Për pasojë, pagat e muajit gusht nuk janë ekzekutuar për një pjesë të konsiderueshme të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
