Barcelona hyn në garën evropiane të mërkurën me ambicien e qartë për ta fituar Ligën e Kampionëve, e mbështetur nga një formë e jashtëzakonshme në nisje të sezonit që tashmë është shndërruar në më të mirën në historinë e klubit.
Të lidhura
None found
Në katër javët e para të kampionatit spanjoll, skuadra e Hansi Flickut ka realizuar 17 gola, duke pësuar vetëm dy, të dy në takimin kundër Rayo Vallecanos. Ky bilanc i vendos katalanasit në pozitën e tretë më të mirë ofensive në historinë e tyre për këtë fazë të La Ligas, teksa diferenca prej +15 golash është më e larta e regjistruar ndonjëherë nga klubi pas katër ndeshjeve, duke kaluar rekordin e vendosur në sezonin 1957-58.
Shifra e 17 golave i rendit lojtarët e Flickut mes tri nisjeve më të fuqishme të të gjitha kohërave për Barcelonën. Vetëm në fushatat 1950-51 dhe 1949-50 ekipi kishte shënuar më shumë, përkatësisht 21 dhe 19 gola, ndërsa rezultati aktual barazon atë të arritur në sezonet 1957-58 dhe 2011-12.
Merita për këtë fillim të jashtëzakonshëm i takon performancës së plotë të grupit, që po dallohet si në mbrojtje ashtu edhe në krijim dhe realizim. Në këtë kuadër, në qendër të vëmendjes qëndron Raphinha, i cili me gjashtë gola është kryegolashënuesi i Barcelonës dhe i La Ligas. Sulmuesi brazilian ka shënuar në secilën prej katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Lamine Yamal ka realizuar dy gola, kurse Fermín López katër.
Raphinha
Braziliani, që Flicku po e aktivizon në rolin e “nëntës false”, arrin këtë sukses duke u bërë lojtari i gjashtë në historinë e Barcelonës që shënon në katër takimet e para të sezonit.
Para tij, këtë seri e kishin arritur vetëm pesë lojtarë të tjerë: Laszlo Kubala në 1953-54, Cayetano Re në 1964-65 dhe së fundmi Cesc Fàbregas në 2011-12. Megjithatë, dy emra kanë shkuar edhe më tej duke realizuar në pesë ndeshjet e para të La Ligas: César Rodríguez, me tetë gola në sezonin 1950-51, dhe Zlatan Ibrahimović në 2009-10.
Tani, me ndeshjen e Ligës së Kampionëve përpara, nëse Raphinha arrin të shënojë, do të bëhet lojtari i parë që realizon në pesë ndeshje radhazi në fillim të sezonit për të gjitha kompeticionet, një arritje pa precedent në historinë e klubit.
Efikasiteti i Barcelonës, lideres së vetme të kampionatit, shtrihet fuqishëm edhe në repartin e prapavijës. Portieri Joan García ka pësuar vetëm dy gola, të dy në sfidën kundër Rayo Vallecanos, duke e mbajtur portën të paprekur në tri ndeshjet e tjera. Kjo qëndrueshmëri mbrojtëse është edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh se Hansi Flicku ka bërë modifikime në vijën e mbrojtjes në secilën prej katër ndeshjeve të para. Për krahasim, Real Madridi dhe Alavési kanë pësuar nga tri gola.
Feyenoord, testi i parë në garën për trofeun evropian
Objektivi kryesor i Barcelonës në kontinent është të shtojë trofeun e gjashtë evropian në kabinetin e saj, duke iu bashkuar triumfeve të fituara në edicionet 1991-92, 2005-06, 2008-09, 2010-11 dhe 2014-15.
Në debutimin e fazës së ligës së re, Feyenoord, e drejtuar nga ish-lojtari i Barcelonës, Gio van Bronckhorst, pret katalanasit. Skuadra holandeze e ka nisur mirë sezonin në Eredivisie, ku renditet e treta, me 11 pikë pas tri fitoreve dhe dy barazimeve. Deri tani, holandezët kanë shënuar 13 gola dhe kanë pësuar shtatë.
