Një vit pasi u premtua ngritja e një parku memorial për personat që humbën jetën në zjarrin e 8 shtatorit 2021 në spitalin modular të Tetovës, punimet nuk kanë nisur ende. Madje, zona e planifikuar për këtë park nuk është pastruar. Të afërmit e viktimave shprehin zhgënjim, duke e cilësuar këtë si përbuzje ndaj viktimave, njësoj siç, sipas tyre, ishte edhe procesi gjyqësor.
Të lidhura
None found
Mumin Ismaili, familjar i njërit prej viktimave, thotë se familjet janë mashtruar nga premtimet për memorialin e 14 viktimave.
“Me parkun memorial na zhgënjyen neve si familjar. Na u premtua parku e zgjodhën vendin ku do bëujej parku, asokohe ishte ministër Azir Aliu ku bëmë një marrëveshje për ta bë parkun por nuk u bë. Na premtuan na rrejtën. Pra në këtë shtet gjithnjë neve si familjar kur na është premtuar diçka na kanë rrejt. Ajo nuk u bë dhe nuk e di edhe ku janë më punët për tu bë memoriali i 14 viktimave”, shprehet Mumin Ismaili, familjar i njërës prej viktimave.
Ndërkohë, drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, deklaron se institucioni që ai udhëheq i ka përmbushur obligimet e veta lidhur me projektin. Sipas tij, dokumentacioni i kërkuar i është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për realizimin e parkut.
“Ashtu siç ju kemi informuar edhe juve, nga ana e spitalit klinik të Tetovës është kërkuar vendi dhe pozita ku mund të ndërtohet një park memorial për tragjedinë që ndodhi në spitalin e Tetovës. ne në Ministrinë e Shëndetësisë i kemi dhënë gjitha dokumentet e nevojshme që janë kërkuar mirëpo kjo është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë. Disa herë kemi kërkuar dhe kemi marrë informacion se procedura është tek tenderimi”, deklaroi Erzen Elezi, Drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.
Një muaj më parë, gjatë vizitës së tij të fundit në Spitalin Klinik të Tetovës, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se nuk kishte qenë i njoftuar për këtë projekt të mbetur pa përfunduar.
“Realisht nuk isha në rrjedhë se kemi projekt të papërfunduar këtu, më njoftoi kreu i komunës, do e shoh dhe do i japim prioritet”, u shpreh Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Disa javë përpara përvjetorit të tragjedisë në Spitalin modular të Tetovës, Prokuroria e mbylli hetimin e dytë për furnizimin e spitaleve modulare. Me këtë, familjarëve iu shuan edhe pritjet për një zbardhje të plotë të rastit. Nga zjarri që shpërtheu më 8 shtator të vitit 2021 në spitalin modular të Tetovës humbën jetën 14 viktima. Për këtë ngjarje, përveç Spitalit të Tetovës si person juridik, u akuzuan edhe dy drejtorët e spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi, për mosvendosjen e aparateve kundër zjarrit në objektin e modularit në Tetovë. /Alsat/
