Një tjetër talent nga Kosova po bie në sy në futbollin zviceran. Bëhet fjalë për sulmuesin e Vaduzit, Lutfi Dalipi.
Të lidhura
None found
Dalipi aktualisht është i huazuar te skuadra zvicerane nga Young Boys dhe në ndeshjet e para të sezonit ka qenë padyshim protagonist, duke u dalluar me paraqitje të shkëlqyera, por edhe duke dhënë kontribut konkret me gola e pasime vendimtare.
Në vetëm 10 ndeshje të luajtura, ai ka shënuar katër gola dhe ka regjistruar shtatë asistime. Këto shifra përfshijnë takimet në elitën e futbollit zviceran dhe në kualifikimet për Ligën e Konferencës.
Pozicioni i tij natyral është numri 10, ku e ka siguruar vendin e titullarit, por në disa raste është aktivizuar edhe si anësor i djathtë. Kjo shkathtësi e bën atë një opsion shumë serioz edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
Nga aspekti ndërkombëtar, Dalipi përfaqëson aktualisht Zvicrën, pasi ka lindur në Riaz dhe ka luajtur për grupmoshat U18 dhe U20. Megjithatë, ai ka të drejtë të luajë për katër kombëtare, gjë që e bën edhe më interesant si lojtar.
Zvicra është kombëtarja që e përfaqëson tani. Babai i tij është nga Kosova, çka i hap mundësinë të veshë fanellën dardane. Si shqiptar, i lejohet gjithashtu të luajë për Shqipërinë, ndërsa Portugalia është një tjetër opsion pasi nëna e tij është portugeze.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, Federata Portugeze ka nisur tashmë kontaktet e para me lojtarin, por ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë ai për të ardhmen e tij ndërkombëtare.
