Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta mbështesin Bekim Sejdiun për President, ka krijuar pasiguri lidhur me sigurimin e votave dhe kuorumit të nevojshëm.
Të lidhura
None found
Në këto rrethana, një nga alternativat mund të jetë rifillimi i komunikimit me AAK-në. Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë më herët se AAK-ja është e gatshme ta sigurojë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit, nëse pranohen kushtet e saj.
Analisti politik Artan Nimani i ka cilësuar qëndrimet e ndryshme të gjashtë deputetëve të LDK-së si shenjë të pluralizmit dhe demokracisë brenda partisë. Megjithatë, ai theksoi se kjo përplasje po ndikon drejtpërdrejt në përpjekjet për tejkalimin e krizës institucionale.
Nimani u ndal edhe te qëndrimi i AAK-së, duke deklaruar se kjo parti i ka paraqitur kryeministrit Kurti një ofertë konkrete. Sipas tij, propozimet e AAK-së nuk lidhen vetëm me interesat e kësaj force politike, por mund t’i shërbejnë çdo qeverie dhe interesit të shtetit.
“Brenda kësaj partie ka pasur historikisht qëndrime të ndryshme. Fakti që edhe sot gjashtë deputetë shprehen ndryshe nga kryetari i partisë tregon, në një këndvështrim, pluralizëm, demokraci dhe personalitet politik. Por kjo situatë tashmë po ndikon drejtpërdrejt në zgjidhjen e krizës institucionale.
Ndërkohë, AAK-ja i ka bërë kryeministrit Kurti një ofertë konkrete. Pikat e saj nuk janë vetëm në interes të AAK-së; nëse shqyrtohen me seriozitet, ato mund t’i shërbejnë çdo qeverie dhe vetë interesit të shtetit. Deri tani, kjo ofertë nuk është marrë seriozisht në konsideratë, madje as nga partia fituese”, tha Nimani.
Analisti vlerëson se Kosova tashmë i ka tejkaluar afatet e përcaktuara me Kushtetutë dhe se zhvillimet po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, partitë politike kanë nisur të bëjnë llogaritjet për datën që u leverdis më shumë, ndërsa 16 shtatori mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në skenën politike.
“Është tejkaluar çdo afat kushtetues dhe, sipas vlerësimit tim, veprimet që mund të ndërmerren më tej janë kryesisht antikushtetuese. Për këtë arsye, është e vështirë të prodhojnë ndonjë rezultat politik apo institucional.
Mendoj se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Çështja kryesore nuk është më nëse do të ketë zgjedhje, por koha kur ato do të zhvillohen. Partitë tashmë po kalkulojnë afatet dhe momentin që u përshtatet më shumë nga pikëpamja politike.
Në këtë kuadër, 16 shtatori mund të jetë një datë me rëndësi të veçantë, e cila mund të ndryshojë rregullat e lojës jo vetëm në politikë, por edhe në shumë fusha të tjera të zhvillimeve në Kosovë”, përfundoi ai për “Bota sot”.
