Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas rritjes së tarifave të transportit ndërurban, duke theksuar se vendimi prek rëndë qytetarët që udhëtojnë çdo ditë, veçanërisht studentët dhe të punësuarit.
Të lidhura
None found
BDI u kërkon institucioneve përgjegjëse të bëjnë publike arsyet e këtij shtrenjtimi dhe të marrin masa për të zbutur ndikimin financiar mbi qytetarët, me fokus të veçantë te studentët dhe personat që varen nga transporti ndërurban.
Sipas partisë, bileta e udhëtimit nga Tetova në Shkup është rritur nga 200 në 250 denarë, që përbën një shtim prej 25% për një udhëtim. Për studentët dhe punonjësit që e kryejnë këtë itinerar çdo ditë, rritja sjell shpenzime të konsiderueshme shtesë gjatë muajit.
BDI thekson gjithashtu se, bazuar në të dhënat e paraqitura, shpenzimet mujore për transport janë rritur nga rreth 5.500 në 6.500 denarë, duke rënduar më tej buxhetet familjare.
“A është kjo politika e ‘kujdesit për qytetarin’ që po ofron pushteti? Në vend të politikave që do ta bënin transportin publik më të përballueshëm dhe do të mbështesnin studentët e të punësuarit që udhëtojnë çdo ditë, qytetarët po përballen me çmime gjithnjë e më të larta”, deklarojnë nga BDI.
Partia kërkon që institucionet kompetente të sqarojnë publikisht shkaqet e rritjes dhe të ndërhyjnë për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të studentëve dhe kategorive që varen nga transporti ndërurban. “Qytetarët nuk mund të jenë ata që paguajnë faturën e çdo dështimi të pushtetit”, shprehen nga BDI.
