Vidal “shuplakë” Barcelonës: Futbolli ka evoluar, ata kanë mbetur pas

Arturo Vidal, i destinuar për t’u larguar nga Barcelona, ​​nuk i mbyll dyert ish-skuadrës së tij, Juventusit.

Në një intervistë dhënë për “youtuber”-in meksikan, Daniel Habif, mesfushori kilian foli për trajnerin e ri të Juventusit, Andrea Pirlo:

“Është diçka spektakolare që ai u bë trajner i Juventusit. Ai ishte i pabesueshëm si një lojtar e lëre më si trajner. Nëse ai ose Juventusi do të më thërriste, do të isha i lumtur, por duhet të jem i qetë. Nëse ndodh, “ok”. Unë kam dashuri të madhe për të dhe për klubin e Juventusit”.

Më pas Vidal foli edhe për trajnerin e Interit, Antonio Conte:

“Ai është një makinë dhe taktikisht numri një. Conte më përshtati me idenë e tij dhe duhej të ndryshonte pak sistemin e lojës”.

Kiliani komentoi edhe situatën aktuale të Barcelonës dhe mundësinë që ai të largohet.

“Nëse një lojtar dëshiron të largohet ose doni ta shisni, kërkoni një skuadër, por mos e thoni. Të gjithë meritojnë respekt. Ishte e dhimbshme të mos arrish në finalen e Ligës së Kampionëve, por Barcelona duhet të ndryshojë mënyrën e të menduarit. Futbolli ka evoluar shumë dhe ata janë prapa skuadrave të tjera, që po përmirësohen në aspekte të tjera. Teknika nganjëherë kalon në plan të dytë, në këtë moment ka më shumë nevojë për forcë dhe shpejtësi. Një ekip që mendon se është më i miri në botë nuk mund të ketë 13 profesionistë dhe të tjerët minorenë”.


Shtuar 31.08.2020 06:55