“U thashë të ma ulin rrogën sa të duan”, flet blerja e bujshme e Manchester United

Odion Ighalo zbulon se ai ka sakrifikuar rrogën e tij për të realizuar transferimin e ëndrrave te Mançester Junajtid.

Sulmuesi 30-vjeçar i cili u huazua nga Shangai Shenhua në minutat e fundit të mbylljes së merkatos së janarit, do të mbajë numrin 25 të lënë nga ish-kapiteni Antonio Valencia.

Ai zbuloi në intervistën e parë të prezantimit në Mançester se ishte i vendosur për t’u bërë futbollisti i parë nigerian që do të vishte fanellën e “Djajve”. Për të interesoheshin disa klube, përfshirë Totenhemin dhe Interin, por ish-bomberi i Uotfordit shpjegon pse zgjodhi Mançesterin:

“Disa klube të tjera shfaqën interes. Por unë thashë: ‘Ju lutem, zgjidhni Junajtid nëse është e mundur’. Ishte ora 11 e mbrëmjes në Shangai. Menaxheri më telefonoi për të më thënë se Junajtid donte transferimin, kështu që unë u zgjova nga gjumi dhe nisa të kërkoj një përkthyes për të shkuar te dhoma e drejtuesve të klubit dhe trokita.

‘Menaxheri im dëshiron të flasë me ju, Junajtid do të vijë të më kërkojë, duhet ta bëni që kjo të ndodhë’. Ata nisën të diskutonin. Mua nuk më zuri më gjumi atë natë, sepse në orën 7 të mëngjesit mbyllej merkatoja. Kështu që, prej orës 11 të natës dhe deri në mëngjes duhej bërë kontrata. Kishte ekipe të tjera që telefononin, por unë i thashë menaxherit se doja vetëm Junajtidin. Më tha: ‘Do të të ulet rroga për të shkuar atje’. Iu përgjigja se nuk më intereson. ‘Bëje që të ndodhë. Dua të shkoj te Junajtid. Nuk më intereson sa do më ulet rroga. E di këtë, vetëm mbylle’”.


Shtuar 6.02.2020 22:47