Tre pjestarët e Partizanit rezultuan pozitiv, dalin përgjigjet për vëllain e kryeministrit Rama

Pas rezultateve pozitive të tre pjestarëve të ekipit të Partizanit, Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote testit të koronavirusit i është nënshtruar dhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.

Olsi Rama, sipas vetë klubit të Partizanit ka dalë negativ. Rama është drejtues te skuadra e partizanit, tashmë prej disa kohësh, por duket se nuk ka pasur kontakte të afërta me futbollistët të cilët kanë rezultuar pozitiv.

Të tre lojtarët janë izoluar dhe sipas klubit nuk do jenë pjesë e derbit me Tiranën, edhe pse zhvillimi i tij është ende në pikëpyetje.

FSHF ende nuk është shprehur nëse ndeshja do të zhvillohet, ndërsa klubi i Tiranës ka kërkuar që derbi të zhvillohet me patjetër. Infektimi i lojtarëve të Partizanit shënon rastin e parë të rasteve me Covid pas rifillimit të ndeshjeve të superiores.

Njoftimi i Partizanit:

FK Partizani njofton rezultatet e testeve të kryera nga ekipi për COVID-19. Në total janë kryer 50 tamponë dhe nga përgjigjet zyrtare të konfirmura nga ISHP (Insituti Shëndetit Publik), tre pjestarë të ekipit Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe janë asimptomatikë.

Pjesa tjetër e skuadrës, stafi dhe punonjës të klubit kanë dalë negativ. Në zbatim të protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lojtarët janë izoluar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës. Ekipi gëzon gjendje optimale dhe panvarësisht mungesave është gati për të dhënë maksimumin në derbin me Tiranën.


Shtuar 10.07.2020 06:20