Superkupa e Europës, merret vendimi për tifozët

Kjo javë do të shohë të luhet në Budapest ndeshja e Superkupës së Europës mes Bajern Mynih dhe Seviljes, fitues përkatësisht të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës.

Një sfidë luksi e cila do të zhvillohet në kushte të veçanta dhe me prani të kufizuar tifozësh në stadiumin “Pushkash Arena”.

Rreth 2100 tifozë të Bajern Mynih do të kenë mundësinë të udhëtojnë drejt Hungarisë për të ndjekur këtë ndeshje në tribuna, por për ta, nuk do të jetë një udhëtim i thjeshtë.

Budapesti cilësohet si një nga zonat e rrezikshmërisë së lartë në Europë për COVID-19 nga autoritetet shëndetësore dhe për këtë arsye, tifozët do t’u nënshtrohen kontrolleve të shumta nëse duan të marrin pjesë në këtë duel.

Tifozët fillimisht do të grumbullohen në “Allianz Arena”, pasi aty do të kryejnë të gjithë tamponin para se të nisen drejt aeroportit për të udhëtuar.

Ndërkohë, të gjithë do të kenë mundësinë që të bëjnë tamponin edhe në momentin kur do të kthehen nga Hungaria, ndërsa parashikohet që të ketë edhe karantinë të detyrueshme deri në momentet kur të marrin përgjigjen e tamponëve, ose të qëndrojnë 2 javë të izoluar nëse e refuzojnë kontrollin me zgjedhje në aeroport.


Shtuar 21.09.2020 19:57