Skënderbeu i bën nder Tiranës, mposht Kukësin (VIDEO)

Kukësi nuk ia ka dalë as në Korçë ndaj Skënderbeut, teksa tu mposhtën me rezultatin 2-1.

Mesa duket tashmë shpresat e verilindorëve për titull kampion janë venitur, duke qenë se rivalët e tyre për titull, Tirana, janë nëntë pikë larg. Sa i përket ndeshjes, Skënderbeu tregoi vazhdimësinë e formës së këtij viti.

Vendasit gjetën golin e avantazhit me Dejvi Bregun, i cili shënoi në mënyrën e tij të zakonshme duke mos i dhënë shumë shans reagimi Xhikës.

Ndërkohë, verilindorët u tronditën edhe me golin e dytë. Ishte Bruno Dita që ndëshkoi miqtë me portierin Xhika që provoi të bëntë maksimumin por sërish nuk ia doli. Megjithatë, Kukësi reagoi në vazhdimësinë e ndeshjes dhe falë një gjuajtje nga ana e Et’hemit në hyrje të zonës shkurtuan diferencat. Kështu, u mbyll pjesa e parë e lojës. Ndërkohë, në fraksionin e dytë të ndeshjes, Kukësi ishte më kërkues teksa sulmet e verilindorëve ishin të rrezikshëm.

Por, tentativat e Abazaj, Et’hemit dhe Kuper gjetën të gjitha përgjigjet e Enea Koliçit i cili fitoi duelet e tij ndaj ofensivës së verilindorëve. Në fund, Kukësi rrezikoi të ndëshkohej edhe me golin e tretë, megjithatë sfida u mbyll me rezultatin 2-1.

Kështu, kuksianët pas kësaj ndeshje vështirësojnë objektivin titull dhe gjenden në vendin e dytë, nëntë pikë pas Tiranës. Nga ana tjetër, Skënderbeu ngjitet në klasifikim dhe parakalon Teutën, ndërkohë që barazon me pikë Laçin e vendit të tretë.


Shtuar 9.03.2020 19:45