Koronavirusi është kthyer në një rrezik botëror, ndërkohë ata që po e vuajnë më shumë janë italianët. Në këtë vend virusi është shfaqur mjaft agresiv duke infektuar dhe vrarë shumë persona.
Ndërkohë, rastet e para të COVID-19, janë regjistruar edhe në botën e futbollit teksa janë disa futbollistët e Serisë A të infektuar.
Dy prej rasteve i takojnë Juventusit. Rasti i parë te bardhezinjtë ishte mbrojtësi Daniele Rugani, ndërsa pas tij, ditën e djeshme u mor vesh edhe infektimi i Blez Matuidi. Në këtë formë, futbollistët e tjerë dhe stafi teknik i Zonjës së vjetër është në izolim, ndërsa një nga ata me risk të lartë te kampionët e Italisë është trajneri, Mauricio Sarri.
61-vjeçari njihet për konsumimin e shumtë të cigareve, teksa besohet se trajneri nuk mund të qëndrojë pa konsumuar 60 copë në ditë. Sakaq, një tjetër risk për trajnerin Sarri, është edhe fakti se në fillim të këtij sezoni kaloi një pneumoni. Madje, humbi dy ndeshjet e para të Juventusit duke mos ia dalë të qëndronte në pankinë.
Por, me ndihmën e stafit të Juventus, e kaloi problemin. Tashmë, për Sarrin janë marrë masa të mëdha duke e izoluar por edhe kontrolluar, teksa për të deri më tani janë bërë dy teste për COVID-19, por për fat të mirë kanë rezultuar negativ.