Rummenigge paralajmëron: Gaboheni, nëse mendoni se jemi ngopur me trofe

Kur kanë kaluar vetëm pak javë nga fitimi i Champions-it, drejtori ekzekutiv i Bayernit, Karl Hainz Rummenigge, është shprehur se në sezonin që vjen skuadra e tij do të provojë të fitojë sërish Champions-in. “Kemi qenë në finalen e Champions-it katër herë në dhjetë vitet e fundit, ndaj pothuajse të gjithë specialistët e futbollit dhe tifozët ishin të sigurt që këtë herë Bayerni do ta fitonte trofeun. Kjo sepse ishim skuadra më e mirë.

Të gjithë na kanë vlerësuar në vitet e fundit për fizikun dhe mentalitetin fitues në futboll, por tani mendoj që shumë njerëz janë dashuruar edhe me mënyrën se si kemi luajtur futboll. Mund të them që loja jonë ka qenë gjithmonë e bukur, është pjesë e ADN-së sonë që të fitojmë dhe të respektohemi nga të gjithë”, tha Karl, që më pas shton: “Ashtu si dhe në sezonin e shkuar, edhe në të riun kemi të njëjtat objektiva, nëse dikush mendon se jemi ngopur për trofe, gabohet. Djemtë janë të rinj dhe duan vetëm të shijojnë suksese. Nëse nuk ke këto ambicie, nuk e kuptoj pse luajnë ende futboll. Jemi përforcuar duke marrë një lojtar si Leroi Sane. Ai tregoi dhe në ndeshjen me kombëtaren se do të jetë një marsh më shumë për sulmin tonë. Por edhe skuadrat e tjera janë forcuar shumë dhe mund të them që do të jetë një kampionat i bukur si në Gjermani, edhe në Europë. Tani të gjithë na shohin si kampionë dhe motivimi ndaj nesh do të jetë 100%”.

Kujtojmë që Bayerni në sezonin që lamë pas fitoi gjithçka duke nisur nga kampionati, kupa e Gjermanisë dhe për të përfunduar me Championsin e luajtur në Lisbonë. Gjermanët mundën me rezultatin 1-0 kampionen e Francez, Parisin, me gol të Kingslei Koman. Por bavarezët do të luajnë në fund të muajit edhe me Sevijën për Superkupën e Europës dhe për Superkupën e Gjermanisë me rivalët e Borusias së Dortmundit. Të dy trofe që gjermanët duan t’i shtojnë në galerinë e tyre.


Shtuar 6.09.2020 10:02