Roma kërkon Shaqirin, përgjigjet Liverpool

Liverpooli e ka refuzuar ofertën e Romës për ta transferuar në formë huazimi Xherdan Shaqirin gjatë afatit kalimtar të janarit, sipas gazetarit të famshëm sportiv, Fabrizio Romano.

Roma e drejtuar nga Paulo Foncesa e identifikoi zviceranin me origjinë shqiptare si zëvendësues potencial të Nicolo Zaniolos, i cili do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të një lëndimi serioz në gju.

Megjithatë, Liverpooli e ka refuzuar menjëherë ofertën e Romës dhe ia ka bërë të qartë gjigantit italian se nuk ka asnjë mundësi që 28-vjeçari të largohet nga Anfieldi këtë muaj.

Shaqiri i ka bërë vetëm dhjetë paraqitje në 38 ndeshjet e Liverpoolit këtë sezon dhe ka qenë titullarë vetëm tre herë gjithsej.

Përkundër që ka kontribuar vetëm me një gol në këto ndeshje, trajneri Jurgen Klopp ia ka bërë të qartë drejtuesve të Liverpoolit se dëshiron ta mbajë Shaqirin në skuadër. Kloppi beson se mund të ketë mungesa në skuadër nëse lejohet largimi i 28-vjeçarit.

Në anën tjetër, nuk dihet nëse Shaqiri do të kishte dashur të kthehej në Serie A, ku në të kaluarën kishte luajtur për Interin. Ai më herët kishte deklaruar se nuk është i kënaqur me minutat e pakta të lojës në Anfield.


Shtuar 14.01.2020 08:36