Britanikët e “The Sun” raportuan sot se Manchester United ia ka dalë të “djegë” konkurrencën për mesfushorin e talentuar anglez Jadon Sancho, pas muajsh të tërë bisedime sekrete me menaxherët e tij dhe drejtuesit e Borussias së Dortmundit.
Fantazisti 20-vjeçar po shkëlqen me verdhezinjtë gjermanë dhe ndiqet nga klube të shumta angleze, përfshi këtu edhe Chelsean, por duket se këmbëngulja dhe angazhimi personal i Ole Gunnar Solskjaer ka bërë që Manchester United të jetë një hap larg firmës me Sanchon.
Për kartonin e tij Borussia Dormtund pritet të arkëtojë një shifër prej 110 milionë eurosh, ndërsa edhe vetë mesfushori pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me pagë rreth 7 milionë euro në sezon.
Ndërkohë “djajtë e kuq” pritet të arkëtojnë një shifër të ngjashme nga shitja e Paul Pogba, që po kalon ditët e fundit në Manchester pasi sezonin e ardhshëm pritet t’i bashkohet Realit të Madridit ose Juventusit.