Paratici për Arthur: Duhet të ketë dëshirën për t’iu bashkuar Juventusit

Barcelona dhe Juventus pritet të finalizojnë një marrëveshje të tyre, për të shkëmbyer emrat si Miralem Pjanic dhe Arthur Melo gjatë merkatos së verës.

Në mesin e gjitha spekulimeve, problemi i vetëm është dëshira e Arthur për të vazhduar në ‘Camp Nou’. Në anën tjetër, Pjanic është i vendosur për largimin nga Juventus.

Lidhur me situatën ka komentuar edhe drejtori sportiv i Juves, Fabio Paratici, i cili ka thënë se braziliani duhet të ketë dëshirën për të kaluar në ‘Allianz Stadium’.

“Ne kemi folur kohë pas kohe me Barcelonën, por në këtë moment, të gjitha skuadrat po luajnë ndeshje të rëndësishme, kështu që preferojmë të kalojmë këtë periudhë”, ka thënë Paratici.

“Nuk ka të bëjë asgjë me 30 qershorin, por rreth asaj se si të gjendet një marrëveshje mes palëve të përfshira, dhe dëshirën e dy lojtarëve. Kështu, nuk ka problem për datat”, ishin fjalët e drejtorit të Juventus.

Arthur kalonte te Barcelona nga skuadra e Gremio në vitin 2018 dhe është i vendosur të lë gjurmët e tij në ‘Camp Nou’.

Mbetet të shihet pas merkatos së verës nëse lojtari do të ndryshojë mendje.


Shtuar 23.06.2020 07:07