Ngjarje e turpshme në ambientet e FSHF, Sinan Idrizi rreh me grushta avokatin e njohur

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ka rrahur me grushta avokatin e njohur, Lorin Burbën, pasi ky i fundit arriti te fitonte gjyqin e klientit të tij, Arinaldo Rrapaj.

Për lojtarin vlonjat, kreu i klubit kuqezi kishte deklaruar se nuk lihet i lirë pa 1 milionë euro. Ndërkohë ai duhet t’i shlyejë pagat e prapambetura dhe tanimë ka dalë lojtar i lirë.

Burime të sigurta tregojnë për neësport.al gjithccka ka ndodhur pranë ambienteve të FSHF-së, ku është zhvilluar edhe gjyqi në fjalë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.

Avokati Burba përgjatë gjithë seancës ka mbështetur pretendimet e tij referuar fakteve dhe bazës ligjore. Debati ka qenë i nxehtë me presidentin Idrizi që këmbëngulte se lojtari ishte “de juro” në pronësinë e Flamurtarit.

Pas një seance maratonë, anëtaret e Komisionit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve kanë konkluduar: Arinaldo Rrapaj del lojtar i lirë dhe klubi i Flamurtarit detyrohet të shlyejë gjitha detyrimet e prapambetura.

Asgjë nuk ka përfunduar brenda ambienteve të FSHF-së. Pasi kanë marrë palët në dorë vendimin, Burba ka dalë jashtë, ndërsa e priste Sinan Idrizi. Fillimisht ka pasur një debat të fortë verbal mes tyre, ndërsa më pas kanë përfunduar në sherr me grushte. Kanë ndërhyrë edhe shoqëruesit e Idrizit, të cilët kanë gjuajtur në drejtim të avokatit të njohur.

Edhe pse baza ligjore apo faktet ishin totalisht kundër Idrizit, ato s’e kanë penguar aspak kreun e vlonjatëve të tregojë se është i “fortë” jashtë fushës së blertë.

Një ngjarje e turpshme që njollos futbollin shqiptar duke treguar nivelin e atyre që “luajnë në zyra”. Vlen për t’u përshëndetur vendimi i DHZHK-së që nuk ka qenë e lëkundur, por ka vendosur menjëhërë drejtësi për fatin e lojtarit Arinaldo Rrapaj, i cili menaxhohet nga agjenti i suksesshëm, Franci Bode./Newsport/


Shtuar 27.08.2020 13:04