Mourinho unik: Qeshni po deshët, jam kampioni i 5 ndeshjeve të fundit!

Jose Mourinho mendon se Tottenham ka një skuadër të mirë, kur ajo është e plotë. Portugezi kërkon që për sezonin e ardhshëm të bëjnë disa përforcime, në mënyrë që t’i përballojnë më mirë situatat kritike që mund të krijohen. Nga ana tjetër nuk pranon shumë të kritikohet dhe u tregon gazetarëve shifrat që mendon se i japin të drejtë.

“Nëse ju mendoni që duhet të tregoj vlerat e mia, do përpiqem. Nëse kjo ka të bëjë me mendime personale, atëherë le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Jam i katërti në ligë, duke e llogaritur nga momenti që e kam marrë drejtimin e skuadrës. Ishim në vendin e 14-t, tetë pikë nga Arsenali dhe 12 pikë nga një pozicion që të dërgonte në Champions League.

Por nëse kampionati nis kur erdha unë, nëse doni ta çojmë bisedën në atë drejtim, atëherë jam i katërti në kampionat. Nëse mendoni se është keq, është opinioni juaj. Nëse doni të qeshni me mua, atëherë jam kampioni i pesë ndeshjeve të fundit.

Përpiqem të bëj më të mirën gjithmonë, nuk shqetësohem t’i provoj ndokujt ndonjë gjë. Unë nuk kam nevojë për motivim nga jashtë, është në natyrën time të jem kërkues dhe mezi pres sezonin e ardhshëm”, tha mes të tjerash Mourinho, ndërkohë që Tottenham e mbylli kampionatin në vendin e shtatë, me pesë pikë që mund ta çonin në zonën Champions.


Shtuar 25.07.2020 10:53