Liverpool në ankth, të enjten do të vendoset çfarë do të ndodhë me kampionatin

Liverpoolit mund t’i mohohet titulli i parë kampion pas 30 vitesh në rast se 14 klube të Premier Ligës votojnë të mos e rinisin sezonin e ndërprerë prej Koronavirusit, aktualisht minimalisht deri më 3 prill.

Të enjten, drejtuesit e Premierligës do të mblidhen për të vendosur për të ardhmen e kampionatit, i cili luan 10 javët e tij të fundit.

“Reds”-ave, të cilët renditen 25 pikë përpara Manchester Cityt në vend të dytë, u mjaftojnë vetëm 6 pikë për të siguruar titullin e parë kampion që prej vitit 1990.

Por fati i skuadrës së Klopit mund të jetë në duart e 19 klubeve rivale dhe shefat e Premier Ligës mund të jenë të detyruar që të mos e përfundojnë dot sezonin në rast se shumica e tyre vendos që mos të luajnë më këtë edicion.

Sipas “Evening Standard”, duhet vota e 14 klubeve që sezoni të mos rinisë.

Por të shumta janë klubet që kanë interes që kampionati të mos anulohet.

Një ndër to është Manchester United, që lufton për kualifikimin në Champions.

Por edhe Shefiuld United dhe Wolves që shpresojnë akoma te vendi i katërt janë kundër.

Leicester dhe Chelsea, vendi i tretë dhe i katërt nuk u intereson dështimi i sezonit, natyrisht sepse janë aktualisht në zonën Champions.

Por ekipet e gjysmës së dytë të tabelës do të preferonin anulimin e këtij sezoni, duke i fshirë rekordin negativ dhe shpëtuar prej rënies nga kategoria.

Tre skuadrat aktualisht në zonën e ftohtë, Norwich, Aston Villa dhe Bournemouth do të shpëtonin nga rrëzimi në Championship nëse ky sezon anulohet.


Shtuar 16.03.2020 08:50