Laçi shkatërron Bylis dhe sheh nga Europa (VIDEO)

Laçi po i shkon gjithnjë e më pranë Kupave të Europës. Një fitore në transfertën e sotme 0-3 kundër Bylisit e afron edhe më tepër me objektivin e caktuar që në fillim të sezonit.

Një penallti në minutën e 25 u përkthye në gol nga goleadori Kirian Nuabueze.

Më pas, kur ishte akorduar shtesa e pjesës së parë Donald Rapo u shërbye bukur në zonë dhe me një goditje të zgjuar mposht Hidin për herë të dytë. Ndërkohë i treti do të mbante sërish firmën e Nuabuezes, i cili realizon dopietë në minutën e 75-të të takimit. Një dy golësh me të cilin sulmuesi amerikan “kërcënon” hapur Shkurtajn për luftën e “këpucës së artë” të Superiores.

Laçi del kështu me 3 pikët nga “Adush Muça”, duke shpërbërë Bylisin dhe duke ruajtur vendin e 3-të në kampionat me 58 pikë të grumbulluara. Një fitore kjo që shkon në një farë mënyre edhe si një asist nga Cungu për ekipin e vendlindjes së tij, Vllazninë. Shkodranët janë në garë me Bylisin për zonën e play out-it dhe rezultati i sotëm e mban ekipin mallakastriot sërish në 5 pikë më të shkëputur.


Shtuar 19.07.2020 17:53