Ky është plani B i UEFA-s për ndeshjen Barça-Napoli nëse situata nga koronavirusi përkeqësohet

Anëtarja e bordit të UEFA-s, Evelina Kristilin, ka konfirmuar se nëse situata e COVID-19 përkeqësohet në Barcelonë, atëherë ndeshja kundër Napolit e vlefshme për Ligën e Kampionëve mund të luhet në Portugali.

Sfida e parë mes Barcelonës dhe Napolit në Itali përfundoi në barazim 1-1 dhe ajo e kthimit është vendosur të luhet më 8 gusht në “Camp Nou” pa tifozë.

Nëse situata e Koronavirusit përkeqësohet në Spanjë dhe veçanërisht në Barcelonë, atëherë zhvillimi i ndeshjes në Katalonjë vendoset në rrezik.

“Guimaraesh dhe Porto kanë qenë plani B prej kohësh”, tha anëtarja e bordit të UEFA-s për “Radio Punto Nuovo”.

“Për momentin vendimi është të luhet në ‘Camp Nou’. Nuk e di se cili është afati i fundit, por di planin B cili është. Vendimi do merret bazuar në këshillat e qeverisë spanjolle. Nëse do ketë përkeqësim të situatës nga COVID-19 në Spanjë dhe veçanërisht në Barcelonë, atëherë do përdoret plani B që ndeshja të luhet në Portugali”, tha ajo.


Shtuar 28.07.2020 16:03