Juve me hapa konkret për Icardin, gati 85 milion euro

Juventus është në kërkim të një sulmuesi dhe drejtuesit e klubit duket se kanë vendosur të sjellin Mauro Icardin këtë verë në Torino, ndaj kanë nisur negociatat me Paris Saint Germain për të transferuar argjentinasin, në një marrëveshje të gjerë, ku pritet të futen disa lojtarë në shkëmbim.

Francezët kanë vendosur të blejnë kartonin e Icardit nga Interi për shifrën e 70 milionë eurove, siç e kishin parashikuar në marrëveshjen e huazimit, ndërsa më pas do të shesin sërish në Itali, por këtë herë te klubi torinez, që e kërkon sulmuesin prej 2 sezonesh.

Edhe verën e kaluar Paratici provoi të marrë argjentinasin në Torino, por marrëveshja dështoi pasi as Dybala dhe as Higauin nuk pranuan të largohen nga Torino, ndërsa këtë verë duket se janë pjekur kushtet, sepse ish sulmuesi i Napolit ka kërkuar të lërë bardhezinjtë këtë verë.

Nga ana tjetër Interi është në rolin e spektatorit komod, pasi e ka të sigurt arkëtimin e 70 milionë eurove për kartonin e Icardit, ndërsa nëse ish kapiteni do të përfundojë te Juventus, në arkat e zikaltërve do të përfundojnë edhe 15 milionë euro të tjera.

Kjo pasi në marrëveshjen e huazimit është parashikuar që PSG mund të blejë Icardin për shifrën e 70 milionë eurove në verë, por nëse e shet në një skuadër italiane, do të duhet të paguajë edhe 15 milionë shtesë, ndërsa nëse e shet në një skuadër europiane, edhe 10 milionë euro shtesë.


Shtuar 25.04.2020 15:12