Jordi Alba kritikon tifozët e Barcelonës: Duhet të më respektojnë

Mbrojtësi anësor i Barcelonës, Jordi Alba, e ka pranuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij s’janë në formën e tyre më të mirë, mirëpo edhe e ka bërë të qartë se nuk i pëlqejnë fishkëllimat e tifozëve në Camp Nou.

Mbrojtësi i krahut të majtë mendoi se e kishte shënuar golin e dytë në fitoren me rezultat 1:0 kundër Real Sociedadit sot, mirëpo goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje, përderisa ai festoi duke i vendosur gishtërinjtë në vesh, mesazh ku për tifozët në Camp Nou.

“Askujt s’i pëlqen kur tifozët janë kundër teje, veçanërisht kur je në stadiumin tënd. Unë i respektoj të gjithë, por edhe ata duhet të më respektojnë”, ka thënë Alba.

“Sjellja jonë është e mirë dhe çdo lojtar e dha më të mirën e vet në fushën e lojës. Unë jam një person që nuk fshihem. I respektoj fishkëllimat, por edhe ata duhet të më respektojnë”.

“Askujt s’i pëlqen të luajë keq ose mënyra se si ne po luajmë për momentin, por fishkëllimat në minutën e 15-të kur rezultati është 0:0 nuk më kënaqin”.

“Unë i respektoj tifozët e Barcelonës shumë. Ata e mbështetën skuadrën edhe pas disfatave të Ligës së Kampionëve kundër Romës dhe Liverpoolit”.

“Nuk është e lehtë kur gjërat nuk shkojnë mirë. Por, në fund, ne duhet të jetojmë me të. Ne e dimë se nëse nuk jemi në të mirën tonë, gjithçka do të na shkojë me shumë vështirësi. Ne duhet të jemi mentalisht të fuqishëm për t’u ngritur në situata të tilla”.


Shtuar 8.03.2020 07:44