Interi ka gati listën me emrat e lojtarëve për kompletimin e mesfushës

Interi në rinisjen e Serisë A do të ketë një synim të qartë, të vendosë në vështirësi Juventusin dhe të provojë t’i rrëmbejë fronin, megjithatë drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë se ku mund të ndërhyhet në merkaton e verës në mënyrë që sezonin e ardhshëm trajneri Antonio Conte të ketë në dispozicion një ekip akoma më të fortë.

Dy emra kanë dalë mbi sipërfaqe, duke u mbështetur tek ajo çka shkruan e përditshmja e njohur italiane “Gazzetta dello Sport”. Ata janë Sandro Tonalli dhe Arturo Vidal, futbollistë për të cilët tekniku puljez ka dhënë të gjithë aprovimin e tij. 20-vjeçari i Brescias po konsiderohet si një nga talentet e ardhshëm të futbollit italian dhe ka zhvilluar një sezon shumë pozitiv me “dallëndyshet”. Interesi për mesfushorin nuk mungon, por zikaltërit kërkojnë ta fitojnë konkurrencën.

Ndërkohë që Vidal do të shtonte agresivitetin sportiv dhe përvojën në mesfushën e Interit. Conte ka një marrëdhënie tej mase pozitive me kilenin duke qenë se e ka pasur nën urdhrat e tij tek Juventusi për 3 sezone, nga viti 2011 deri në 2014-ën. Natyrisht për të afruar lojtarë duhen krijuar hapësirat edhe financiare, ndaj ka shumë gjasa të largohen nga “Appiano Gentile”, Gagliardini, Valero, Vecino dhe Nainggolan, i cili këtë sezon është i huazuar tek Cagliari.


Shtuar 14.05.2020 11:19