Inter tenton Eriksen, PSG gati ti prishë planet

Interi në sulm për Christian Eriksen. Zikaltrit janë vënë në lëvizje dhe synojnë ta afrojnë mesfushorin e Tottenham në korrik, kur atij t’i përfundojë kontrata me klubin londineze.

Gianluca Di Marzio raporton se Beppe Marotta, drejtori sportiv i Interit, ka kontaktuar së fundmi menaxherin e mesfushorit danez dhe po tentohet ta bindin që ai të zgjedhë klubin italian në verë.

Ka edhe një opsion për ta blerë që tani, për shumën e 20 milionë eurove. Kjo mund të ndodhë nëse pista “Vidal” do bjerë poshtë dhe tek Interi do të duhet të ndërhyjnë me çdo kusht në merkato për një mesfushor qendre.

Gjithsesi nuk duket e lehtë, pasi për shërbimet e Eriksen është futur në garë edhe PSG. Kampionët e Francës, sipas gazetarit Nicolo Schira, ofrojnë një pagë që kap shifrën e 12 milionë eurove (me gjithë bonuse) dhe kontrata do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2025.


Shtuar 2.01.2020 08:42