E ardhmja e brazilianit Neymar është ende në qendër të vëmendjes të mediave botërore. E përditshmja spanjolle, Mundo Deportivo, raporton se tani edhe Antoine Griezmann ka dalur në përkrahje të planit të Barcelonës për ta kthyer Neymarin në skuadër.
Sipas burimeve të së përditshmes spanjolle, francezi Antoine Griezmann ka lidhje shumë të mirë me Neymarin dhe për këtë arsye do të ishte i lumtur ta kishte mundësinë që të luante me të në fushën e lojës.
Kthimi i Neymarit në Barcelonë do ta rriste edhe më shumë konkurrencën në mesin e blaugranëve në repartin e sulmit, pasi që trajneri Ernesto Valverde do të duhej ta gjente një zgjidhje për t’i mbajtur të lumtur Lionel Messin, Luis Suarezin, Griezmannin e Neymarin në të njëjtën kohë.
Por, Griezmanni nuk e sheh më kthimin e Neymarit si rrezik për karrierën e tij, pasi që ai e konsideron veten si investim të madh në klubin katalonas. Ai madje thuhet se është i gatshëm të bashkëpunojë me Neymarin për të qenë zëvendësues të Messit e Suarezit, që po shkojnë drejt fundit të karrierës.
Në anën tjetër, mediumi francez The Parisian raporton sot se 28-vjeçari mund të nënshkruajë marrëveshje të re me Paris Saint-Germainin, duke lënë më pak gjasa të ndodhë transferimi në Barcelonë.