Fitorja e Man United, Xhaka: Kështu niset viti i ri

Granit Xhaka e ka lartësuar shpirtin e treguar nga bashkëlojtarët e tij në fitoren e Arsenalit 2:0 kundër Manchester Unitedit në Ditën e Vitit të Ri, duke e quajtur madhështore paraqitjen e londinezëve, në një kohë kur e ardhmja e tij është e pasigurt.

Mesfushori i Zvicrës me prejardhje nga Kosova ishte titullar dhe njëri prej lojtarëve me paraqitjen më të mirë në fushë për 90 minuta në fitoren e parë të Mikel Artetës në stolin e Arsenalit të mërkurën në Emirates.

Xhaka – i cili mungoi në humbjen e Arsenalit ndaj Chelseat në mesjavë shkaku i ftohjes – u rikthye titullar, midis thashethemeve se mund t’i bashkohet Hertha Berlinit në Bundesligë.

27-vjeçari, megjithatë, duket plotësisht i përqendruar në Emirates, siç tregon paraqitja e tij ndaj Unitedit dhe postimi në rrjetet sociale pas ndeshjes.

“Kështu niset viti i ri! Paraqitje madhështore, zemër e madhe, fitore e madhe. Të vazhdojmë kështu”, shkroi Xhaka në Instagram.

Muajt e fundit është pritur shumë që Xhaka ta braktisë Arsenalin në janar apo në fund të këtij sezoni, pasi i prishi marrëdhëniet me tifozët e klubit në fillim të sezonit.

Menaxheri i tij, Jose Noruguera, konfirmoi ditë më parë se tashmë është arritur një marrëveshje mes Xhakës dhe Hertha Berlinit dhe se i mbetet klubeve të pajtohen për transferimin e lojtarit.

Por, trajneri i ri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk është i sigurt për këtë. Ai mendon se 27-vjeçari nga Kosova do të mbetet në Emirates.

“Mendoj se ai do të qëndrojë”, tha Arteta për gazetarët, pas fitores së Arsenalit 2:0 kundër Manchester United, në një takim ku përfaqësuesi i Zvicrës luajti shumë mirë të mërkurën mbrëma.

“Ai është shumë i mirë. Mua më pëlqen ai vërtet shumë. Duke e parë mënyrën sesi duam të luajmë, do ta bëjmë atë të qëndrojë, sepse ai mund të jetë lojtar shumë i madh për këtë klub”, shtoi Arteta.

I pyetur nëse Xhaka i ka dhënë garanci për të ardhmen e tij, Arteta ngurroi por buzëqeshi duke u përgjigjur: “Po, më ka dhënë, po.”


Shtuar 2.01.2020 09:28