Doli pozitiv me koronavirus, flet lojtari i Bylisit: Ndjehem shumë mirë

Futbollisti i Bylisit, Eridon Qardaku ditën e sotme u konfirmua si i infektuar me Covid-19.

Në një prononcim të dhënë për “Top Channel”, sulmuesi 19-vjeçar është shprehur se nuk e di ku mund të jetë infektuar, teksa ka shtuar se nuk ka probleme dhe ndihem shumë mirë.

Gjithashtu ai shton se dëshiron të bëjë edhe një test tjetër, në mënyrë që të jetë i sigurt, pasi ndihet shumë mirë.

“Përveç se kam dalë pozitiv me virus, unë ndihem shumë mirë dhe jam në gjendje normale. Jam munduar të stërvitem dhe tani po mendoja të bëja një stërvitje tjetër. Nuk kam asnjë shqetësim. Simptoma kam pasur vetëm temperaturë të lehtë, por t’ia lejmë kohës.

Doja të bëja edhe një test pasi nuk jam i sigurt. Dhe ka pasur raste që testi i dytë ka dalë negativ. Nuk po ma bëjnë të mundur për një test të dytë.

Ku mund të jem infektuar? Nuk e di, unë kam udhëtuar drejt Shkodrës për shkak të një dëmtimi. Tani jam kthyer në Ballsh. Dhe, kam ndjerë pak temperaturë dhe ethe. Ja lashë faktit se kisha ftohtë natën.

Por, presidenti u tregua i gatshëm për testin. Bëra tamponin dhe nuk kam pasur kontakte me çunat pasi e kapëm në kohë. Doja edhe një test tjetër, pasi unë vetë kam qenë i rregullt. Nuk kam pasur kontakt, sërish edhe tani jam treguar shumë i kujdesshëm. Nuk e di ku mund ta kem marrë.”, u shpreh Qardaku.


Shtuar 2.06.2020 11:56