“Derbi këtu një çmenduri”, Melo tregon çfarë bëri ekipi pas humbjes 5-1

Ulliam Melo Korde rio ka rezultuar padyshim si blerja më e goditur e Partizanit në merkaton e verës së kaluar, ku braziliani kaloi nga Kukësi te “demat”. 6 gola ka shënuar 27- vjeçari për të kuqtë në kampionat, ku më të rëndësishmit janë ata të realizuar në ndeshjet derbi.

Tirana i ka sjellë fat Melos, pasi ka shënuar në tre nga katër derbi të këtij edicioni, i fundit ishte në takimin e 10 korrikut që përfundoi në barazim 1-1. Media braziliane “ogol.com.br” i ka kushtuar një artikull lojtarit të Partizanit, që ata e cilësojnë si mbrojtës, pasi në atë rol ka luajtur në vendlindje, ndërsa në Shqipëri po luan në fazën sulmuese. Në prononcimin e dhënë për këtë media, Melo fillimisht ka treguar se si mbërriti në Shqipëri.

“Unë po përfundoj sezonin tim të dytë këtu. Fillimisht kam ardhur te Kukësi. Para se të shkoja aty, menaxheri im më thirri dhe më tha se kishte një propozim nga një klub nga Shqipëria, i cili do të luajë në ‘play off’-in e Ligës së Kampionëve, dhe mund të ishte një mundësi e mirë për mua. Unë doja të largohesha nga Brazili, pasi njerëzit e dinë për krizën në vend. Klubet nuk kishin kushte të mira financiare, ndaj preferova të vija në Shqipëri. Unë bëra mirë, u adaptova shpejt dhe ndihem komod tani”, tha fillimisht Ulliam Melo

PËRVOJA NË CHAMPIONS- Melos sapo arriti te Kukësi iu dha mundësia që të luajë në turin e parë eliminator të Champions-it me Kukësin dhe më pas në Ligën e Europës. Sa i përket kësaj përvoje që e ka përjetuar në dy verat e fundit, me Kukësin dhe me Partizanin, 27-vjeçari u shpreh: “Ishte një aventurë e komplikuar, sepse dihet që Shqipëria nuk është në nivele të larta botërore, nuk është një vend që ka shumë shikueshmëri. Skuadrat shqiptare hasin shumë vështirësi kur luajnë kundër skuadrave të mëdha si Karabaku (që eliminoi Kukësin dhe Partizanin në dy sezonet e fundit në Champions).

Dallimi i buxhetit është shumë i madh. Ndaj është e vështirë për skuadrat shqiptare që të kualifikohen, por futbolli këtu është në rritje. Aktivizimi në këtë kompeticion është një mundësi për një lojtar që dëshiron të rritet. Të dëgjosh himnin e Champions-it është një ndjenjë unike. Ju futeni me himnin. Të pëlqen apo jo, është e shkruar se keni luajtur në raundet eliminatore të Champions”, vijon më tej braziliani i Partizanit.

SHQIPTARËT DHE FUTBOLLI- Në rrëfimin e tij Ulliam Melo tregon përvojën e tij në futbollin shqiptar, ku nxjerr në pah fanatizmin e tifozëve, ndonëse bëhet fjalë për një vend të vogël. “Shqipëria është një vend shumë i vogël, por njerëzit e pëlqejnë shumë futbollin, janë shumë fanatikë. Tifozët vijnë në stadium dhe skuadra ku unë luaj (Partizani) ka tifozët më të shumtë, së bashku me Tiranën”, u shpreh 27- vjeçari.

DERBI SI ÇMENDURI- Melo ka rezultuar njeri i derbit për Partizanin dhe ai u tregon brazilianëve si përjetohet rivaliteti me Tiranën, pasi bëhet fjalë për një ndeshje që lëviz ndjenjat dhe emocionet e lojtarëve dhe të tifozëve. “Derbi i kryeqytetit këtu është si çmenduri. Madje njerëzit këtu kanë një thënie: ‘Më mirë të fitohet derbi sesa kampionati’. Ka plot rivalitet në këtë sfidë. Ishte një derbi që ne e humbën 5-1, kur kundërshtarët vinin pas një periudhe të gjatë pa fitore ndaj nesh.

Pas kësaj disfate unë pashë shokë të skuadrës duke qarë në dhomat e zhveshjes. Derbi këtu nuk është gjë e thjeshtë, por një çmenduri. Ata janë shumë fanatikë. Tifozët janë të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë stadiumit dhe nuk kam mënyrë për ta shpjeguar. Nëse dilni në rrugë, të gjithë të njohin, të ndalojnë, të pyesin. Realisht është vërtet interesante nga ajo që shikoj. Tifozët janë vërtet të ngrohtë”, mbyll rrëfimin e tij Melo në “ogol.com.br” në lidhje me futbollin shqiptar.


Shtuar 19.07.2020 07:28