Conte premton se Interi do ta tregojë forcën e vërtetë përballë Atalantës

Antonio Conte u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Napolit duke vlerësuar atë çfarë dha Interi në fushë përballë një kundërshtari të fortë që e eliminoi edhe nga Kupa e Italisë, pikërisht Napoli.

“U përballëm me një ekip të fortë, që i ka hapur probleme Juventusit vitet e fundit dhe ka një grup me futbollistë cilësorë. Për këtë arsye Interi meriton të vlerësohet për paraqitjen e shkëlqyer. Nuk ishte aspak e lehtë, duke ditur që më parë Atalanta kishte fituar kundër Parmës. Ishim të detyruar të fitonim. Këto janë situata të rëndësishme, pasi mësohet të ndjejmë presionin e ekipeve që na kalojnë në renditje. U paraqitëm në këtë ndeshje si një skuadër solide dhe jam i kënaqur për djemtë”, tha Conte për “Sky Sport Italia”.

Tashmë vëmendja e Contes dhe e zikaltërve shkon te sfida direkte ndaj Atalantës, një ndeshje që vlen vendin e dytë në këtë sezon të Serie A.

“Atalanta ka bërë një punë të mrekullueshme në vitet e fundit me Gian Piero Gasperini, duke u rritur vit pas viti dhe duke marrë lojtarë që përshtaten me projektin dhe janë në gjendje të ndryshojnë lojën në çdo momente, jo vetëm në Serie A, por edhe në Champions League. Do të jetë një test i mirë për ne, për të parë forcën tonë. Është një ndeshje perfekte për ta mbyllur sezonin e Serie A”, tha tekniku i zikaltërve.


Shtuar 29.07.2020 18:57