Banega përlotet për lamtumirën nga Sevilla dhe i kërkon ndjesë Contes (VIDEO)

Mesfushori argjentinas Ever Banega i dha fund eksperiencës te Sevilla, pasi veshi fanellën e andaluzianëve për plot 5 sezone në dy periudha të ndryshme dhe numëron 238 ndeshje, ku ka shënuar 28 gola dhe ka dhënë 37 asiste.

Fantazisti 32-vjeçar u përlot në konferencën e fundit për shtyp si futbollist i Sevillas, ku falënderoi tifozërinë dhe drejtuesit, teksa tani do të vijojë karrierën në Arabinë Saudite te Al Shabab.

“Kishim objektiva të arrinim zonën Champions dhe të fitonim Ligën e Europës, dhe ia dolëm në të dyja. Merita shkon për atë shoqëri të mrekullueshme, që i bën gjërat gjithmonë më të thjeshta, ndërsa dua të falënderoj edhe tifozërinë e klubit që më ka mbështetur gjithmonë”, u shpreh Banega.

Ndeshja e fundit e fantazistit argjentinas me fanellën e Sevillas ishte finalja e Europa Leagues ndaj Interit, ku Banega u përfshi edhe në një përplasje me trajnerin zikaltër Antonio Conte, të cilit i kujtoi edhe mbjelljen e flokëve.

“Ishte një moment i nxehtë i ndeshjes dhe Contes i kërkoj ndjesë, nëse ajo që i kam thënë, i ka shkaktuar bezdi”, tha mesfushori argjentinas.


Shtuar 11.09.2020 21:28