Trafikonin emigrantë, edhe motra e drejtoreshës së Kufirit përfundon në polici

Vazhdojnë ndalimet për grupin e përfshirë në trafikun e emigrantëve nga vendet e Lindjes në Shqipëri, për të vijuar në shtetet e Bashkimit Europian

Në kuadër të operacionit “Toka e premtuar”, dy persona janë ndaluar dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kompjuterë, 2 celularë, disa leje qëndrimi të emigrantëve, fatura bankare dhe mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjencitë e transfertave të parave.

Të ndaluarit janë një 41-vjeçar nga Palestina dhe Suela Kaçabani, 41 vjeçe.

Kjo e fundit është motra e Drejtoreshës së Kufirit dhe Emigracionit Enkeleida Toska e pezulluar dy ditë më parë nga detyra pas dyshimeve se ajo ka favorizuar trafikun.

Dyshohet se Toska së bashku me të tjerë, nëpërmjet kompanive konsulente, bënin të mundur ardhjen në Shqipëri në mënyrë të organizuar, të personave dhe grupeve të personave, kryesisht me origjinë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore.

Me herët SHÇBA ka arrestuar dhe pezulluar nga detyra zyrtarët e tjerë që janë Altin Hasani, Shefi i sektorit Besnik Zela, Shefi i sektorit, Albana Metko, Shefe e Seksionit, Adelina Lita, Specialiste.

Zyrtarët e lartë të policisë pritet të dalin para gjykatës për masë sigurie, por me arrestimet e kësaj të premteje, 5 qershor 2020, çështja pritet dhe t’i kalojë SPAK duke qenë se bëhet fjalë për implikim të funksionarëve shtetërorë


Shtuar 5.06.2020 14:33