Tentuan të eliminonin vlonjatin duke i vendosur tritol në shtëpi, arrestohen dy persona (VIDEO)

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Porositësi” duke arrestuar dy persona për vënie të lëndës plasëse, të dy me precedentë të mëparshëm penal.

U arrestua shtetasi M. G., 34 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ky shtetas, më datë 14.06.2020, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, ka tentuar të vendosë një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit A. D., por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë u parandalua shpërthimi i lëndës eksplozive, pasi autori u kap në flagrancë në momentin që po vendoste lëndën eksplozive.

Gjithashtu u kap dhe arrestua porositësi, konkretisht shtetasi B. A., 50 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një bazë materialesh, të listuara si më poshtë:

1 armë zjarri e llojit revolver me dy fishekë, 2 sasi lënde të dyshuara eksplozive të llojit tritol, të montuara me kapsollë detonatorë me fitil zjarrpërcjellës, 21 doza të dyshuara me lëndë narkotike të llojit kokainë, 1 dozë e dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, 3 automjete (njëri rezulton i vjedhur në shtetin grek), 3 aparate celularë, targa të vjedhura, biçikletë etj.


Shtuar 15.06.2020 08:30