Tentoi të shtypte me makinë një person, si u kap i shumëkërkuari në Kamëz

Një person është arrestuar ditën e sotme në Kamëz pasi mban në supe disa akuza.

Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin, pasi ishte i kërkuar nga drejtësia italiane, i dënuar për një sërë veprash penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar nga drejtësia italiane, për një sërë veprash penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Erjol Ceka, 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali.

Autoritetet gjyqësore në Torino, Itali, me vendimin penal Nr. 997/2019 SIEP, datë 17.02.2020, e kanë dënuar këtë shtetas me 13 vjet, 3 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Ky shtetas dyshohet se më datë 17.01.2011, në Asti, Itali, ka tentuar që të shtypë me makinë shtetasin italian S. S., duke i shkaktuar atij plagosje dhe fraktura.

Më datë 14.12.2012, së bashku me një person tjetër, ka vjedhur para dhe sende me vlerë në një bar.

Gjithashtu, më datë 31.01.2015, në bashkëpunim me një person tjetër, ka plagosur rëndë me thikë shtetasin shqiptar A. G.

Materialet e arrestimit të përkohshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Shtuar 4.04.2020 07:15