TEATRI/ Meta del me një tjetër mesazh të fortë: Kauza nuk do të ndalojë!

Presidenti Ilir Meta rithekson se shembja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk do të amnistohet kurrë.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk e humbi kauzën, por sipas tij fitoi një edhe më të madhe.

Kreu i shtetit shprehet se ky veprim i qeverisë i ka ndihmuar të gjithë shqiptarët “për t’u zgjuar e bashkuar, përpara se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re”.

Sipas Metës, kauza nuk do të ndalojë deri në “shembjen e tiranisë” dhe rindërtimit të Teatrit Kombëtar.

Postimi i plotë:

Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë!

Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë.

Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.

Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët.

Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.

Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë.

Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë.

A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?


Shtuar 19.05.2020 17:35