Skepticizmi i madh për “vaksinën e Putinit”, flet eksperti amerikan

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të shëndetësisë kanë shprehur skepticizëm në lidhje me pretendimin e presidentit Vladimir Putin se shkencëtarët rusë kanë zbuluar vaksinën e parë të sigurt dhe efektive në botë për koronavirusin.

“Seriozisht dyshoj se e kanë arritur këtë,” tha eksperti i sëmundjes infektive Dr. Anthony Fauci. Por ai shtoi se shpreson që Moska me të vërtetë “ka vërtetuar përfundimisht se vaksina është e sigurtë dhe e efektshme”.

Dr. Fauci tha se një numër laboratorësh në Shtetet e Bashkuara po punojnë për një vaksinë dhe nëse do të donin, mund të fillonin shpërndarjen e tyre në çdo kohë.

“Nëse ne do të donim të shfrytëzonim rastin për të lënduar shumë njerëz ose për t’u dhënë atyre diçka që nuk funksionon, mund të fillonim ta bënim këtë, qysh javën tjetër nëse do të donim. Por kjo nuk është mënyra se si veprohet”, tha Fauci në një deklaratë që do të transmetohet të enjten nga grupi mediatik “National Geographic”.

Dr. Fauci ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara të kenë miliona doza të një vaksine kundër COVID-19 gati në fillim të vitit 2021, por ka paralajmëruar se nuk ka asnjë mënyrë për të garantuar efektivitetin afatgjatë të një vaksine.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha gjatë një vizite në Tajvan të mërkurën se zhvillimi i një vaksine për COVID-19 nuk është “një garë për të qenë i pari”.

Ai tha se administrata Trump po punon me industrinë farmaceutike amerikane për “të ofruar sa më shpejt që të jetë e mundur për të mirën e qytetarëve amerikanë, por edhe për njerëzit në botë, vaksina të sigurta dhe efektive”.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave duhet të miratojë çdo vaksinë, përpara se ajo të shpërndahet tek mjekët dhe profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor.

Të mërkurën Kina e quajti punën e bërë nga zoti Azar në trajtimin e COVID-19 në Sh.B.A. “më e keqja në botë” dhe tha se udhëtimi i tij në Tajvan ishte një taktikë politike.

“Ai injoroi miliona amerikanë që vuajnë nga virusi dhe shkoi në Tajvan për të bërë një spektakël politik,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijan.

“Sjellja e tij dëshmon edhe një herë se në sytë e politikanëve amerikanë, jeta e njerëzve nuk do të thotë asgjë kur krahasohet me përfitimet e tyre egoiste politike”.

Administrata Trump e ka akuzuar Kinën se u përpoq të fshihte shpërthimin e COVID-19 kur filloi në Wuhan në dhjetor dhe dështoi të kontrollionte sëmundjen – pretendime që Kina i mohon.

Sekretari Azar tha se në qoftë se shpërthimi i koronavirusit do të fillonte në Tajvan ose Sh.B.A., ai mund të ishte “shuar lehtë”.

Rajoni Galicia në Spanjë ka ndaluar pirjen e duhanit në rrugë, në restorante në natyrë dhe kudo ku distancimi shoqëror është i pamundur.

Edhe pse është e paqartë nëse duhanpirësit janë më të ndjeshëm ndaj COVID-19, pirja e duhanit kontribuon në probleme shëndetësore themelore që e bëjnë shërimin nga sëmundja shumë më të vështirë. Tymi i cigares nga të tjerët është gjithashtu i rrezikshëm për shëndetin.

Zyrtarët në rajonin e Aragonit të Spanjës kanë urdhëruar ngritjen e një spitali fushor ushtarak dhe testimet në Katalonja, përfshirë kryeqytetin e saj Barcelonë, po zgjerohen pasi Spanja raportoi 3172 raste të reja me COVID në vetëm 24 orë të mërkurën.

Greqia raportoi të mërkurën 262 raste të reja – shifra më e lartë një-ditore që nga fillimi i shpërthimit – dhe Italia po urdhëron vizitorët nga Greqia, Spanja, Kroacia dhe Malta të testohen për COVID-19 kur të kalojnë kufirin. Italia është një vend i njohur pushimesh për turistët nga ato katër vende.

Pandemia vazhdon të ketë ndikim në botën sportive. Dy kampionate të mëdha të kolegjeve amerikane – Big Ten dhe Pac-12 – paralajmëruan të martën se do të shtyjnë sezonet e ardhshme të vjeshtës.

Tani, një nga turnetë më të famshëm në botën e golfit – Mjeshtrat – do të luhet këtë vit pa spektatorë.

Ndërkaq, këngëtari dhe kitaristi i njohur i muzikës Pop Trini Lopez, i njohur më së shumti për regjistrimet e tij në filmin “If I Had a Hammer” dhe “Leomon Tree” në vitet 1960, vdiq nga COVID-19. Ai ishte 83 vjeç.

Përveç rekordeve të tij të njohura, Lopez ishte gjithashtu aktor, me interpretime në filmin me temë nga Lufta e Dytë Botërore në vitit 1967 “The Dirty Dozen.” VOA


Shtuar 13.08.2020 07:08