Silva Bino: Në vend ka të infektuar për herë të dytë me Covid!

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka thënë sot se në Shqipëri, ka pasur raste kur 2 persona janë infektuar për herë të dytë nga koronavirusi.

Kjo konfirmon edhe një herë se nuk ka imunitet ndaj këtij virusi. Personat në fjalë, tha Bino, janë riinfektuar pas tre muajsh.

“Në Shqipëri kemi pasur dy raste që edhe pse ishin prekur janë infektuar sërish për herë të dytë. Ai që është prekur njëherë nuk është plotësisht imun. Koronaviruset lënë një imunitet afatshkurtër dhe jo të gjatë. Infektimi i tyre i dytë ndodhi pas 3 muajsh u është rikthyer sërish koronavirusi.

Të dy rastet thuajse ishin në të njëjtën gjendje si më parë dhe nuk ishin në format e rënda të sëmundjes.

Kemi raste të rëndë në shërbimin e Reanimacionit ku pothuajse është i mbushur. Kemi dy spitale në funksion dhe kemi rritje të shtrimit dhe të rasteve të rënda”, tha Bino.


Shtuar 29.07.2020 21:22