Shqipëria i ”shtrin dorën” Kinës, kërkon mjekë për menaxhimin e pandemisë

Shqipëria është nën kërcënimin e pandemisë, ku deri më sot janë konfirmuar 146 raste, pesë prej të cilave rezultuan fatale për jetën.

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka bërë me dije se shteti shqiptar i ka kërkuar ndihmë për mjekë Kinës për menaxhimin e situatës.

“Ministria e shëndetësisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kinës nëpërmjet ambasadën në Shqipëri për të sjellë mjekë me eksperiencë”, tha Rakacolli.

Gjithashtu ajo theksoi se ilaçet që janë përdorur si kurë për të trajtuar malarian, janë efektive edhe për trajtimin e koronavirusit dhe Shqipëria i disponon në rezervat e saj. Një fakt i tillë është konfirmuar nga zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

“Infektivi në protokollin që ka bërë e ka të përdorur medikamentin antimalares. Patjetër që stoku i këtij medikamenti është i pranishëm në Shqipëri edhe tani”, tha Rakacolli.


Shtuar 25.03.2020 12:38