Rrëzoi avionin ukrainas? Teherani mohon akuzat

Kudo në media ka qarkulluar lajmi se Irani rrëzoi avionin ukrainas , por këto akuza janë mohuar nga Teherani.

Por ata i kanë hedhur poshtë pretendimet se avioni ukrainas Boeing 737 u rrëzua pasi u godit nga një raketë iraniane.

“Të gjitha këto raporte janë një luftë psikologjike kundër Iranit,” tha të enjten zëdhënësi i qeverisë Ali Rabiei.

“Të gjitha ato vendet, qytetarët e të cilëve ishin në aeroplan mund të dërgojnë përfaqësues dhe ne i kërkojmë Boeing të dërgojë përfaqësuesin e tij për t’u bashkuar me procesin e hetimit në kutinë e zezë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Abbas Mousavi ndërkohë i ka bërë thirrje kryeministrit kanadez Justin Trudeau të tregojë burimin që ai pretendoi se i ka treguar që avioni ishte qëlluar nga një raketë iraniane.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ka prova që tregojnë se ishte një raketë iraniane ajo që rrëzoi aeroplanin ukrainas me pasagjerë dhe se goditja mund të ketë qenë e paqëllimshme, siç tha ai.

Trudeau tha se pohimet e tij mbështeten tek burimet kanadeze të zbulimit dhe ato disa vendeve aleate, por ai nuk dha më shumë detaje.

Komentet e kryeministri kanadez pasojnë pohimet e bëra nga zyrtarë amerikanë më herët gjatë ditës së enjte se aeroplani i Ukrainës që u rrëzua në Iran, duke lënë të vdekur të 176 personat në bord, me shumë gjasë u rrëzua aksidentalisht nga një raketa anti-ajrore iraniane.


Shtuar 10.01.2020 11:11