Pas përfundimit të mbledhjes për Reformën Zgjedhore mes Kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe deputetit të opozitës parlamentare Myslym Murrizi duket se nuk ka dakordosi pasi ky i fundit u shpreh se opozita nuk do ta votojë.
Sipas Murrizit, produkti i Këshillit Politik nuk ishte ai që ata prisnin, ndërsa tha se kushtet e tyre janë tre: listat e hapura, administratë zgjedhore jo politike dhe vota e emigrantëve.
“Askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk tallet me sovranitetin e votës tonë dhe mandatin e deputetit që ne kemi marrë. Po presim Ramën në respekt që ai të na kthejë përgjigje. Ne nuk mund të rrinim për të vazhduar normalitetin, aq më tepër kur prioritet i parlamentit është reforma zgjedhore dhe jo arnimet për të lënë në fuqi marrëveshjen e 2008. Problemi kryesor i Parlamentit është reforma zgjedhore. Nuk është tagri im që të merrmë me sharlatanë që kërkojnë çdo post sa herë i jepet mundësia. Grupi Parlamentar që përfaqësoj nuk do ta votojë reformën nëse nuk sigurohen listat e hapurave, administratë zgjedhore jo politike dhe vota e emigrantëve. Produkti i Këshillit Politik nuk ishte ai që prisnim”, tha Murrizi
