Rama “kërcënon” punonjësit e administratës: Do t’u mbahet rroga 3 muaj!

“Populli nuk i paguan taksat për t’u dhënë rroga atyre që rrezikojnë jetën e tij në këtë luftë ku punonjësit e shtetit duhet të jenë shembulli më kuptimplotë i disiplinës shtetërore dhe përgjegjshmërisë qytetare!”

Qeveria ka marrë masa të reja për lëvizjen. Punonjësit e ministrive, bashkive e prefekturave, nga sekretarët e përgjithshëm nuk do të përdorin makinë për të shkuar në zyrë.

Ky rregull përjashton vetë punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave apo të prefekturave të Bashkive që janë përfshirë në listën prioritare me firmën e titullarit për të garantuar zhvillimin e luftës ndaj koronavirusit në aspektin shëndetësor dhe humanitar.

Titullarët e institucioneve duhet të cojnë tek ministri apo kryetari i bashkisë, listën me punonjësit që e kanë të domosdoshme lëvizjen me makinë. Lista duhet të vihet në pozicion për Policinë e Shtetit deri në orën 23:00.

Nëse shkelen këto masa, do të përballen me mbajtjen e rrogës për 3 muaj dhe në rast përsëritje, do të largohen përfundimisht nga puna.

Edhe këmbësorët që do të shkelin masat e reja të lëvizjes dhe që figurojnë në borderotë e Republikës së Shqipërisë, si punonjës të administratës qendrore apo vendore, do t’u mbahet rroga për 3 (tre) muaj dhe në rast përsëritjeje do të largohen përfundimisht.

“Populli nuk i paguan taksat për t’u dhënë rroga atyre që rrezikojnë jetën e tij në këtë luftë ku punonjësit e shtetit duhet të jenë shembulli më kuptimplotë i disiplinës shtetërore dhe përgjegjshmërisë qytetare!”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.


Shtuar 18.03.2020 15:05