Rama: Askush nuk do mbetet pa e marrë, janë paguar 7.5 miliard lekë për pagat e luftës

“Janë 7.5 mld lekë të reja të paguara që kanë shkuar në arkën e familjeve dhe do të vazhdojmë se paketa ka ende një pjesë të financës në dispozicion për ta shpërndarë…”

Kryeministri Edi Rama u shpreh se deri më tani janë paguar 7,5 miliardë lekë të reja për pagat e luftës.

Në një komunikim me qytetarët në Facebook, Rama sqaron se askush nuk do të mbetet pa e marrë pagën e luftës. Sipas kryeministrit, janë shfaqur edhe disa probleme të ndryshme në procesin e aplikimit, teksa disa persona kanë shkruar gabim numrin e llogarisë.

Kreu i qeverisë sqaroi se ky proces korrigjimi do të kërkojë kohën e tij. Ndërkohë, ai u bëri thirrje disa qytetarëve që nuk kanë aplikuar ende, që të aplikojnë sa nuk është ende vonë.

“Ka probleme me pagat për bizneset. Një pjesë e vogël, kanë aplikuar dhe kanë shkruar gabim nr e llogarisë, procesi i korrigjimit kërkon kohën e vet. Ka edhe persona që nuk kanë aplikuar fare, nuk di nga e presin.

Ua kërkojnë Tatimet “hajde aplikoni”. Kam dëgjuar komente dhe fjalë boshe të këtyre ventilatorëve mediatik se ne i hapkemi bizneset për të mos paguar. Ne po vazhdojmë dhe do të vazhdojmë për të paguar pagat e luftës edhe për ata që janë në punë. kategoria e pagës së parë, që ende tani nuk është në punë janë vetëm baret dhe restorantet.

Ato lokalet që janë biznes i vogël do të hapen ditën e hënë dhe do të vazhdojnë të paguajnë. Të gjithë do të marrin atë që i takon, askush nuk mbetet pa e marrë. S’ka rëndësi nëse u hap, po kthehet normaliteti.

Do i qëndrojmë angazhimit tonë. Janë 7.5 mld lekë të reja të paguara që kanë shkuar në arkën e familjeve dhe do të vazhdojmë se paketa ka ende një pjesë të financës në dispozicion për ta shpërndarë”, tha ai.


Shtuar 15.05.2020 17:09