Policia vë në pranga 45 vjeçarin, për çfarë ishte dënuar i “forti” i Bulqizës

Policia ka vënë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë në Bulqizë.

Mësohet se 45-vjeçari i dënuar për vrasje të mbetur në tentativë, i cili është i dyshuar edhe për vepra të tjera penale të ndodhura në Bulqizë, për t’iu shmangur kontrolleve të Policisë, kishte krijuar një vendstrehim sekret.

Pas rrethimit të banesës në fshatin Dushaj dhe ndërhyrjes profesionale u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit të kërkuar Vehap Shehu, 45 vjeç, i cili në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në një ambient sekret.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Dibër e ka dënuar me 6 vjet, 10 muaj e 21 ditë burg. Në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin F. T. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i varë vëllai i shtetasit Vehap Shehu dhe u plagos rëndë shtetasi F. T. (i arrestuar më parë nga DVP Dibër dhe forcat RENEA gjatë operacionit “Fundi i arratisë”).

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 15.07.2020 12:24