Policia kontrolle në Fier-Vlorë: Të huajt bëjnë “namin me gazin” në Shqipëri (VIDEO)

Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet në autostradën Fier – Vlorë – Fier, duke e zhvendosur vëmendjen nga aksi Tiranë-Durrës.

Duke marrë parasysh fluksin e pushuesve që udhëtojnë drejt jugut për të shijuar bregdetin, Policia ka nisur kontrollet me radarë dhe drager.

Gjatë 12 orëve kontroll, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shoferë që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 145 km/h deri në 201 km/h.

Si pasojë që prej mëngjesit të sotëm, Policia ka hequr 11 leje drejtimi dhe ka vendosur 35 gjoba për shpejtësi dhe manovra në rrugë, duke përfshirë edhe shtetas të huaj.

“Të fluturosh dhe jo të drejtosh mjetin në rrugë më e pakta të çon te polici dhe radari dhe në destinacion do shkoni pa patentë.

Në rastin më të keq aksidenti ju pret apo me keq akoma patenta shkon në shtëpi pa ju. Drejtues mjetesh, qarkulloni brenda limiteve të lejuara që destinacioni juaj të jetë i sigurt, mos fluturoni se shpejtësia vret jetë,”-shkruhet në njoftimin e Policisë.


Shtuar 25.07.2020 20:25