“Plas” debati mes socialistëve: Ndreu me tone të larta ndaj Lleshajt

Një debat i fortë është zhvilluar mes socialistëve për prishjen e objekteve në zonat bregdetare pikërisht në nisjen e sezonit turistik.

Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu ka kundërshtuar deklaratat e ministrit Lleshaj në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje, duke theksuar se nuk janë policë nën urdhrat e ministrisë.

Në fjalën e tij, Ndreu i tha Lleshajt se prishja duhet të bëhet me një njoftim paraprak, pasi rrënojat e lëna pas nga IKMT ndikojnë në turizmin e zonës. Ndreu ka shtuar se shqetësimin e tij ia ka parashtruar edhe kryeministrit Edi Rama. Ministri Klosi ka ndërhyrë duke kërkuar mbylljen e debatit dhe vijimin e mbledhjes paprezencën e medias.

Debati

Pjerin Ndreu: IKMT të vijë me një njoftim paraprak. Nëse më vjen ti mua papritur dhe më shemb disa objekte, ti ma shemb turizmin. Nëse bëhet kjo unë si bashki nuk marr pjesë. Ia kam thënë kryeministrit mbrëmë dhe po e them edhe këtu: nëse ju mendoni se jemi policë të rreshtit, harrojeni. Kryetari i bashkisë boll është sulmu, ka ardh koha që ligji për qeverisjen vendore të shikohet me kujdes. Se boll, boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal. Sa ne të injorohemi në këtë mënyrë…

Bëj thirrje publikisht të ulemi e të diskutojmë e të bien dakord me pushtetin lokal. 30 vjet pa leje ndërsa tani në kohën e sezonit turistik mobilizojmë armë. Mesazhet nuk mund të vihen para institucioneve serioze. Nëse për ju nuk ekziston bashkia, në bashkinë Lezhë ka këshill.

Sandër Lleshaj: Do të thoja ca gjëra por po i kursej ato që do të thoja këtu. IKMT është një strukturë ligjore e respektuar e cila ka mbajtur gjatë këtyre viteve një barrë të madhe në një vend të pushtuar nga paligjshmëria. IKMT e ka kryer këtë detyrë me shumë sukses. Ka goditur një pjesë të madhe të paligjshmërisë dhe këtë detyrë do të vijojë ta kryejë. Protokollet e IKMT janë të përcaktuara në ligj dhe zbatohen në mënyrë rigoroze. Siapas rregullave nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të vendosur ligjin në një vend, ku është shkelur. IKMT do ta vazhdojë këtë punë bazuar në ligj, në raport me shkelësit IKMT do të veprojë drejperdrejt dhe nuk marrin autorizim as nga ministri dhe as nga kryetari i bashkisë dhe askush tjetër… Nëse konstatoni shkelje të ligjit jeni të detyruar të ndërhyni si kryetarë bashkie. Duhet të rivendosni ligjin nëse dikush e ka shkelur atë.

Klosi: (Nuk le Ndreun te marre fjale) Të largohen mediet. Do ta vazhdojmë mbledhjen pa praninë e mediave..


Shtuar 10.06.2020 10:04